Përfitimet e Surya Namaskar (Përshëndetja e Diellit)

Përfitimet e Surya Namaskar (Përshëndetja e Diellit)

From artofiving.org; translated by S. Thanasi


Njerëz nga të gjitha qytetërimet, për shekuj me radhë kanë ofruar falenderime ndaj Diellit, burimi kryesor i jetës dhe energjisë në Tokë. Surya Namaskar është një nga këto praktika falenderimi dhe përbëhet nga 12 poza të ndryshme, të cilat simbolizojnë respektin dhe mirënjohjen ndaj Diellit, si burim i të gjithë jetës në planet.

“Të gjitha emocionet tona ruhen në zonën energjetike që njihet me emrin Solar Plexus (qendra diellore). Kjo është gjithashtu qendra ku zënë fill të gjitha ndjenjat. Madhësia e kësaj zone energjetike mendohet të jetë sa një bajame. Por, për ata që praktikojnë joga dhe meditim, kjo qendër zmadhohet tre deri në katër herë më shumë. Sa më e madhe të jetë qendra diellore, aq më e madhe është qëndrueshmëria e mendjes dhe intuitës tuaj”. – Gurudev Sri Sri Ravi Shankar

Kur mund të bëhen këto ushtrime?

Surya Namaskar mund të bëhet në çdo orë të ditës. Megjithatë, momenti më i mirë është gjatë lindjes së Diellit. Rrezet e diellit ndihmojnë për të gjallëruar trupin dhe për të rifreskuar mendjen. Përfitime ka edhe në momente të tjera të ditës. Nëse praktikohet pasdite, trupi merr energji të menjëhershme, ndërkohë që në perëndim, ndihmon për t’u qetësuar.

Praktiohet ngadalë apo shpejt?

Surya Namaskar mund të praktikohet në shpejtësi të ndryshme me përfitime si më poshtë:

Lëvizje e ngadaltë: Ndihmon për të patur më shumë elasticitet

Lëvizje me shpejtësi mesatare: Ndihmon për tonifikimin e muskujve

Lëvizje e shpejtë: Vepron si një ushtrim kardiovaskular dhe ndihmon për ulje në peshë.

 

Cilat janë përfitimet e Surya Namaskar?

Përfitimet e Surya Namaskar janë të shumta. Kjo praktikë ndihmon në funksionimin më të mirë të organeve mendore dhe trupore. Disa nga këto përfitime janë si më poshtë:

Ndihmon për të qëndruar më të shëndetshëm dhe për të shmangur sëmundjet.
Një praktikë e rregullt e Surya Namaskar promovon ekuilibrin në trup.
Përmirëson qarkullimin e gjakut në trup.
Forcon zemrën.
Tonifikon sistemin tretës.
Stimulon muskujt abdominalë, sistemin respirator, sistemin limfatik, nervat kurrizorë dhe organet e tjera të brendshme.
Gjithashtu, tonifikon shpinën, qafën, shpatullat, krahët, duart, kyçet, muskujt e përparmë e të pasmë të këmbëve, promovon elasticitetin në përgjithësi.
Në aspektin psikologjik, rregullon ndërveprimin mes trupit, frymës dhe mendjes, duke na bërë më të qetë dhe duke rritur nivelet energjetike, me një ndërgjegjësim më të mprehtë.
Surya Namaskar sjell përfitime edhe për humbjen në peshë, për flokët dhe lëkurën.

Përfitimet për humbjen në peshë:

· Si një ushtrim intensiv fizik, punon me çdo pjesë të trupit

· Mund ta rrisni numrin e Surya Namaskar çdo ditë dhe të shikoni kilet që humbisni. Përkuljet dhe streçimet ndihmojnë për të tretur shtresën dhjamore në të gjithë trupin.

Përfitimet e Surya Namaskar për flokët:

· Surya Namaskar përmirëson qarkullimin e gjakut në tru, duke parandaluar rënien e flokëve.

· Rritja e qarkullimit të gjakut ushqen kokën dhe sjell rritje të shëndetshme të flokëve.

· Pozat e ndryshme ndihmojnë parandalimin e zbardhjes së flokëve.

Përfitimet e Surya Namaskar për lëkurën

Surya Namaskar përmirëson qarkullimin e gjakut në të gjitha pjesët e trupit, duke ndihmuar që lëkura të mbahet më e re.
Rrit energjinë dhe vitalitetin, duke e bërë fytyrën të shkëlqejë dhe duke ndihmuar lëkurën të qëndrojë e tendosur.
Meqenëse Surya Namaskar ndihmon për të çliruar stresin, parandalon daljen e rudhave.

Si mund të përfitojnë gratë nga Surya Namaskar?

Surya Namaskar mund të bëjë atë që muaj të tërë në një regjim dietik nuk mund ta bëjnë. Prandaj është si një lloj bekimi për gratë që janë të ndërgjegjshme për shëndetin. Praktikimi i Surya Namaskar është një mënyrë e lehtë dhe e natyrshme për të qëndruar në formë. Disa nga lëvizjet e përshëndetjes së diellit ndihmojnë për të hequr dhjamin rreth barkut. Kjo bëhet duke stimuluar në veçanti gjendrën tiroide e cila ndikon në rritjen e sekrecioneve hormonale. Një praktikë e rregullt e Surya Namaskar mund të ndihmojë gjithashtu në rregullimin e ciklit menstrual dhe të asistojë në lindjen e fëmijës. Së fundi, sjell shkëlqim në fytyrë, parandalon rudhat dhe bën që të dukeni pa moshë.

Surya Namaskar përforcon intuitën

Një praktikë e rregullt e përshëndetjeve të diellit, e kombinuar me meditim, ndihmon qendrën diellore me madhësi sa bajamja, të bëhet sa një grusht. Ky zmadhim ndihmon për të zhvilluar aftësitë intuitive, duke forcuar përqëndrimin. Ndërkohë që e kundërta, pra zvogëlimi i kësaj qendre, sjell depresion dhe tendenca të tjera negative për shëndetin.

artofliving. org